Informacion për Dekorimet në Republikën e Shqipërisë

Urdhri i Flamurit Kombëtar
U jepet shtetasve shqiptarë dhe të huaj për kontribute të jashtëzakonshme për lartësimin e kombit shqiptar dhe Shqipërisë. Përgjithësisht propozuesi për dhënien e kësaj dekorata është vetë Presidenti i Republikës (pra me nismën e tij), mund të jetë gjithashtu Kryeministri ose Kuvendi.
Urdhri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
U jepet shtetasve shqiptarë dhe të huaj për kontribute të qenësishme ose akte të veçanta heroike në mbrojtjen, forcimin e përparimin e Republikës së Shqipërisë. Propozuesi mund të jetë Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit.
Urdhri “Nderi i Kombit”
U jepet qytetarëve shqiptarë që me veprat dhe emrin e tyre kontribuojnë, nderojnë kombin shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Propozuesi mund të jetë vetë Presidenti i Republikës, por edhe të gjithë institucionet që parashikohen në Rregulloren e Procedurave të Dekorimeve, si Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Ministrat, Institucionet e pavarura etj. që propozojnë sipas fushës përkatëse.
Urdhri “Mjeshtër i Madh”
U jepet punonjësve të fushave të ndryshme të shkencës, artit, sportit, drejtimit, prodhimit dhe biznesit për punë të shquara. Propozimi bëhet si rregull nga institucionet e parashikuara nga Rregullorja e Procedurave ose me nismë të Presidentit të Republikës.
Urdhri “Nënë Tereza”
U jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj për akte të shquara humanizmi ndaj kombit shqiptar dhe njerëzimit. Propozuesi mund të jetë vetë Presidenti i Republikës ose institucionet që parashikon Rregullorja e Procedurave të Dekorimeve (Kryeministri, Kuvendi, ministritë, organet e pavarura etj.)
Urdhri “Naim Frashëri” i Artë ose i Argjendtë
U jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj, punonjësve të shkencës, artit, kulturës dhe arsimit për kontribut kryesisht në kulturë, arsim, shkencë, art, etj. Propozuesi mund të jetë vetë Presidenti i Republikës si dhe institucionet e parashkuara në Rregulloren e Procedurave të Dekorimeve, organet e pushtetit vendor, etj.
Medalja e Artë e Shqiponjës
U jepet shtetasve shqiptarë dhe të huaj për trimëri në luftën e armatosur dhe për veprimtari apo akte të guximit qytetar në kohë paqeje. Propozuesi mund të jetë vetë Presidenti i Republikës si dhe të gjitha institucionet e parashikuara në Rregulloren e Procedurave të Dekorimeve, organet e pushtetit vendor, etj.
Medalja “Shërbime Ushtarake”
U jepet shtetasve shqiptarë dhe të huaj për merita të veçanta në shërbimin ushtarak në Shqipëri. Propozuesi mund të jetë Presidenti i Republikës, organet e parashikuara nga Rregullorja, veçanërisht Ministria e Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Medalja “Për Merita të Veçanta Civile”
U jepet shtetasve shqiptarë dhe të huaj për kontribute të veçanta civile në Shqipëri (në fushën e zhvillimeve demokratike, në atë humane etj.). Propozuesit janë Presidenti i Republikës si edhe organet sipas Rregullores së Procedurave, ministritë, institucionet, organe të pushtetit vendor, etj.
Medalja e Mirënjohjes
Kjo medalje u jepet qytetarëve shqiptarë ose të huaj, në raste festash zyrtare dhe ngjarjesh historike.