Garda dhuron gjak

Garda e Republikës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, realizoi në datat 24-25 Tetor seancat për dhurimin e gjakut. Si pjesë e fushatës sensibilizuese, institucioni, nën kujdesin e veçantë të Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtues Madhor Gramos Sako, dhuron gjak vullnetarisht deri në dy herë në vit, në mënyrë të rregullt. Punonjësit, të cilëve u lind dëshira për të dhuruar gjak, tregojnë jo vetëm një ndjenjë për t’iu bashkuar kauzave sociale, por shfaqin humanizmin kundrejt pacientëve me talasemi, të sëmurëve kronikë, hemofilikë, me dializë, si dhe i vijnë në ndihmë perosnave të aksidentuar, të cilët shfaqin nevoja të domosdoshme për lëngun e jetës. Siç shprehet edhe vetë QKTGJ, tradita e Gardës së Republikës në dhurimin e gjakut ka qenë gjithnjë një ndihmë e madhe dhe e rëndësishme në kauzën e dhurimit të gjakut. Referuar statistikave, përgjatë pesë viteve të fundit kanë dhuruar vullnetarisht gjak 454 punonjës të të gjithë strukturave të Gardës.