Vizita e Ministrit të Brendshëm në Gardë​

Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Gramos Sako, priti ditën e sotme, në Gardën e Republikës, Ministrin e Brendshëm, Z. Taulant Balla. Vizita e Ministrit konsistonte në prezantimin me stukturat e Gardës dhe njëkohësisht në ofrimin e mbështetjes së tij për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të punës së punonjësve dhe shërbimit të sigurisë në tërësi.

Drejtues Madhor Gramos Sako, gjatë fjalës së tij, nëpërmjet një panorame prezantuese të institucionit, nënvizoi ndër të tjera edhe ndryshimet e fundit që kanë prekur Gardën që prej miratimit të kuadrit të ri ligjor apo edhe vlerësimit të punonjësve të saj nëpërmjet reformës për rritjen e pagave, sikurse dhe trajtimit me ushqim gjatë kryerjes së shërbimit. “Këto ndryshime – tha Drejtori, i kanë dhënë një frymë të re institucionit e motivim të mëtejshëm”. Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm theksoi si tepër vlerësues për punën e institucionit, realizimin me sukses të Samitit të Bashkimit Europian në Shqipëri, në fundin e vitit 2022.  Ai u ndal ndër të tjera edhe në bashkëpunimin e ngushtë me stuktura të tjera ligjzbatuese, duke veçuar këtu Policinë e Shtetit, SHISH, Portokollin e Shtetit, Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura, e të tjerë. Po ashtu, gjatë prezantimit Drejtori i Përgjithshëm nuk la pa përmendur edhe prioritetin kryesor të Gardës që lidhet me përmbushjen e misionit, kryerjen e detyrave konform ligjit në mënyrë rigoroze, ruajtjen e integritetit të punonjësit të Gardës dhe përmirësimin e profesionalizmit të punonjësve nëpërmjet trajnimeve.

Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm, gjatë fjalës së tij të mbajtur para drejtuesve të strukturave, premtoi se do të bëjë gjithçka për të garantuar një trajtim financiar sa më të mirë për të gjitha nivelet e strukturës së Gardës së Republikës. Z. Balla vuri theksin edhe njëherë në rëndësinë e respektimit të Kodit të Etikës dhe integritetit të punonjësit të Gardës, nga çdo punonjës i çdo strukture, në të gjitha nivelet.

“Veprimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm në të gjitha rastet kur një anëtar i kësaj Garde të nderuar Republike do të shkelë normat etike të funksionimit të saj. Duhet t’a them për secilin prej jush se, të qenit pjesë e Gardës së Republikës është një nder. Ndër vite Garda e Republikës, sikurse e tha edhe Komandanti, ka pasur dhe ka suksese në ruajtjen e personaliteteve por edhe në organizimin e mjaft takimeve të rëndësishme ndërkombëtare, siç ishte vjet Samiti apo ai që do të kemi në 16 Tetor, Samitin e Procesit të Berlinit, një aktivitet i rëndësishëm, mbarëvajtjen dhe përgjegjësinë e të cilit e ka Garda e Republikës. Ne duhet të vazhdojmë të rrisim mbështetjen për Gardën e Republikës qoftë në infrastrukturë, qoftë në teknologji” – tha Ministri i Brendshëm, Z. Balla në fjalën e tij.