Në shtator Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë funksionale për qytetarët. Për pak ditë pritet të hapet edhe segmenti më i rëndësishëm i saj, i cili lidh zonën e “Pallatit me Shigjeta” me Farkën, duke i dhënë zgjidhje kështu problemit të trafikut të makinave që vijnë nga sheshi “Shqiponja” dhe Kombinati në drejtim të qendrës, si dhe të atyre që udhëtojnë drejt juglindjes.

Pas përfundimit të veprës së mbikalimit te zona e Shkollës Teknologjike, punimet janë në 600 metrat e fundit që përshkojnë zonën e Selitës dhe që e lidhin Unazën me pjesën ekzistuese në afërsi të Kopshtit Botanik. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot punimet dhe u shpreh i kënaqur me ritmin me të cilin po ecin ato.

“Ky është një projekt jetik për qytetin, një arterie kryesore e cila sjell trafik, duke lidhur dy pika, Farkën dhe Kasharin, dy zona të populluara të Tiranës, pra gjithë zonën e Kodrës së Diellit, Kristalit, Njësinë 5 me Kombinatin Ushqimor. Sigurisht, ky është një projekt i madh, që do të thotë se edhe ritmi që kemi pasur në kaq pak muaj ka qenë jashtëzakonisht i lartë, ndaj jam shumë krenar për të gjithë kolegët, nga inxhinierët deri tek punëtorët më të thjeshtë, që kanë punuar ditë e natë, një pjesë e madhe prej tyre kanë sakrifikuar pushimet e verës, që kur pjesa tjetër e Tiranës të kthehet nga pushimet, ta gjejë këtë aks të përfunduar”

, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ai bëri të ditur se veç punimeve për pjesën kryesore të këtij projekti, në shtator do të kenë përfunduar punimet edhe për të gjitha elementët e tjerë shtesë dhe sekondar, siç janë ndriçimi, rrugët dytësore, trotuaret apo mbikalimet për këmbësorët.

“Ambicja jonë është që para fillimit të vitit shkollor, të kemi përfunduar të gjitha punimet në Unazën e Madhe të Tiranës, që lidh zonën nga Kombinati Ushqimor, deri te zona e Lundrës. Do u kërkoj të gjithë qytetarëve pak durim, bëhet fjalë për punime me makineri të rënda, për shpronësime, për infrastrukturë jetike për qytetin, do të thotë se na duhet jashtëzakonisht shumë bashkëpunim”,

tha Veliaj.

Ndërsa falenderoi institucionet e tjera që kanë kontribuar në realizimin e kësaj pjese të Unazës së Madhe, ai shprehu besimin se me krijimin e qeverisë së re në shtator puna për ndërtimin e loteve të tjera të kësaj Unaze do të ecin edhe më shpejt.

“Dua të falenderoj të gjithë kolegët që kanë marrë pjesë, nga Ministria e Transportit, ARRSH, qeveria shqiptare, nga kryeministri i vendit, që ka qenë avokati kryesor i avancimit të shpejtë të Unazës së Tiranës dhe mezi pres që me krijimin e qeverisë së re, të kërkojmë një shpejtësi akoma më të madhe për pjesët e tjetra të Unazës, që besoj se do jenë faza e ardhshme, ajo që lidh pjesën e Dajtit dhe sidomos ajo që lidh pjesën e Bregut të Lumit. Më në fund, kemi një propozim konkret për mbikalimin dhe nënkalimin tek rrethrrotullimi i “Shqiponjës” dhe me zgjidhjen e asaj nyje, besoj zgjidhim një pjesë të madhe të problematikës së Tiranës”,

tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të nisë aksionin për mbylljen e të gjitha hyrje/daljeve të paligjshme në akset kryesore rrugore të qytetit, të cilat janë një burim rreziku për jetën e qytetarëve.

“Bashkia e Tiranës do të fillojë një operacion për të mbyllur të gjitha ndërprerjet e paligjshme në autostradat që janë në territorin e Tiranës, duke nisur nga autostrada Rinas-Tiranë, te rruga “Dritan Hoxha”, të gjithë akset kryesore të Tiranës. Është e pamundur që të kemi një qytet funksional, me 190 mijë makina në Tiranë, plus ato që vijnë nga rrethet, nëse në çdo 100 metra, dikush çan autostradën, dikush bën një gomisteri, dikush rrotat, dikush tjetër bën servis, dikush lavazh. Kjo nuk ka sens”,

tha Veliaj.

Ndaj, u bëri thirrje të gjithë individëve apo bizneseve të ndryshme që kanë ndërhyrë në akset rrugore të bashkëpunojnë dhe të rikthejnë rrugën në gjendjen e mëparshme përpara se të mbërrijnë përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese.

“Na duhet shumë bashkëpunim dhe u bëj apel të gjithë bizneseve dhe qytetarëve, që në mënyrë të paligjshme kanë çarë akset kryesore të rrugëve, që t’i rikthejnë në gjendjen e mëparshme, përpara se të paraqitet Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake. Është shumë e rëndësishme që këto investime t’i ruajmë. Një pjesë e madhe e trafikut na shkaktohet vetëm nga çarjet e paligjshme në shtratin e rrugës. Është shumë e rëndësishme që këto çarje të mbyllen dhe të kemi një akses të lirshëm të trafikut në qytetin e Tiranës”,

shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai njoftoi se me nisjen e vitit të ri shkollor në muajin shtator do të rikthehet edhe rregulli i qarkullimit për automjetet që bëjnë furnizimin e njësive tregtare në kryeqytet, duke i dhënë përparësi lëvizshmërisë së nxënësve.

“Në fillim të vitit shkollor, do të risjellim në fuqi të gjithë regjimin e trafikut që përdorim gjatë muajve shkollorë. Do të thotë që orët e mëngjesit janë të dedikuara kryesisht për trafikun familjar, ndërkohë që vetëm pasi ka filluar ora e mësimit mund të rifillojnë ata që bëjnë furnizimin e dyqaneve. Ne besojmë se në qytetin tonë janë shumë më të rëndësishëm nxënësit, se sa patatinat e çamçakëzët që edhe mund të presin, sa të ketë filluar ora e mësimit”

, përfundoi Veliaj.

/tvklan.al