treniPasi ka humbur funksionin e para viteve ’90, stacioni i trenit në kryeqytet pushon përfundimisht së ekzistuari duke u zhvendosur në zonën e Vorës.


Për shkak të nisjes së punimeve për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, duke filluar nga dita e hënë, qytetarët që do të duan të përdorin trenin për të shkuar në qytete të tjera, do të duhet të nisen nga Vora.


E njëjta gjë edhe për linjat nga qytetet e tjera drejt kryeqytetit, të cilat do të përfundojnë në Vorë.


Për pjesën tjetër të udhëtimit, nga Vora në Tiranë dhe e anasjella, Bashkia e Tiranës njofton se ka vënë në dispozicion autobusë që do të bëjnë transportin e udhëtarëve falas.


Nisja e autobusëve bëhet nga stacioni aktual i trenit, sipas orarit të nisjes së trenit dhe anasjelltas.


Për të përdorur shërbimin falas, pasagjerët duhet të kenë biletën e trenit ose abone, që i identifikon si përdorues të linjës.


Paralelisht me zhvendosjen e shinave të trenit, Bashkia e Tiranës nisi punimet edhe për zhvendosjen nën tokë të linjës së tensionit të lartë në bulevardin “Zogu i Parë”.


“Me vënien në efiçencë të linjës, do të mundësohet zhvendosja e kabllit ajror përgjatë “Zogut të Parë” deri në Tirana 1″, deklaroi Henrik Hysenbregasi, drejtor i projekteve strategjike dhe investimeve të huaja.


“Linja e re ka një gjatësi 2,3 km dhe është ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i përgjigjet zhvillimit të perspektivës së qytetit”, shtoi Sali Tocilla, drejtor i njësisë operative për Tiranën.


Punimet për linjën e tensionit të lartë, ndërtuar 15 vite më parë, pritet të përfundojnë brenda javës së parë të shtatorit dhe po kryhen nga një firmë zvicerane dhe OST.


1 shtator 2013 (gazeta-Shqip.com)